Në shërbim të askujt...vetëm informacion!

Një vepër që shpreh mendjemprehtësinë që kultivohej nëpër oda tona…

777
Nga:Tefik Selimi

 


Gjilan, 5 Janar


Veprat letrare artistike nuk shkruhen vetëm nga ndonjë ngjarje apo rrëfim jete. Veprat letrare shkruhen edhe për çdo “send” që është pjesë e rëndësishme e popullit. Kohës së fundit, Sabit Rrustemi po dëshmon se mund të shkruajë edhe për kohët e meseleve që janë pjesë e “dramcave” të popullit. Zakonisht, populli është gjeniu që ka krijuar vepra të fuqishme letrare e artistike. Përrallat, angegdotat, kashë e lashët, meselet, tregimet popullore e të tjera, janë letërsi popullore. Ky është art i krijuar nga goja e popullit. Askush nuk mund ta “qëndisë” më bukur përrallën, meselen apo tregimin se sa vetë popullit apo tregimtari popullor.

Ballina e vepres se S. Rrustemit
Sabit Rustemi është emër i panjohur për lexuesit tanë. Ai është poet, shkrimtar e publicist. Gjer më tani ka botuar disa vepra letrare e publicistike. Vepra e tij e fundi është “Stina e meseleve”, një vepër mjaft e rëndësishme letrare. Kësaj radhe, ky autor po na vjen krejt ndryshe prej herëve të tjera. Sabit Rrustemi, me këtë vepër po tregon se është rrëfyes dhe “mjeshtër” kësaj dije. Ajo që e karakterizon këtë vepër është faktin se, gjuhën të cilën e ka përdorur autori është e folura e Malësisë së Karadakut.

Nexhat Rexha, recensent i librit, duke folur për librin “Stina e meseleve”, thekson se Rrustemi ka përmbledhur pjesë të meseleve, të cilat i ka dëgjuar disa herë në ndejat familjare. Në brendi të tyre qëndron thesari i kujtesës në përhapjen e diturisë dhe përcaktimin e diçkaje që ka ndodhur apo mund të përsëritet dhe nëpërmjet tyre shihet se njeriu i ynë gjatë historisë ka bashkëjetuar me mendjemprehtësinë e odave dhe në këto takime janë prodhuar dituri, edukim dhe aty kanë shprehur filozofinë e kohëve.
“Libri ‘Stina e Meseleve’ është libër i rrallë i kësaj treve të Karadakut të Gjilanit, që specifikon jo vetëm të ndodhurat nëpër ngjarjet e kohëve, por autori si mbledhës i tyre i ka qëndruar besnik gjuhës së folur në këto mesele”, ka thënë Rexha, duke shtuar se në këto mesele janë ruajtur elementet e një treve, që specifikon në ruajtjen e traditës kombëtare, gjuhësore e fetare.
Sherafedin Kadriu, zyrtar në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, thotë se nostalgjia për odën e Karadakut, për ata burra sysh me maje, por të urtë, punëtorë e të zellshëm, ndonjëherë shakaxhi e me humor të hollë, është ngjallur në “Stinën e meseleve” e Sabit Rrustemi i kallëzon me të folmen e fshatit të tij dhe ato marrin karakteristikat e rrëfimeve tregimtare, sepse janë pakëz më të gjata se meseletë e zakonshme. Në të gjitha meseletë dominon një humor i hollë, jo fort thumbues. Në të vërtetë, nga këto mesele mësojmë shumëçka për malësorët e Karadakut, për burrërinë e tyre, për jetën me brenga e halle njëkohësisht, sikundër edhe për kënaqësitë që kanë përjetuar. Mund të jetë që kënaqësia të ishte rrjedhojë e anekdotizimit të situatave të vështira, teksa rrëfehen pasdarkeve me miq plot, ka thënë Kadriu, që shton se autori në këtë libër veç nostalgjisë për meseletë e dëgjuara në odën e tij dhe jo vetëm, duket se ka një nostalgji edhe për gjuhën, për atë të folme, të vendlindjes së tij dhe rrethit ku ka jetuar.
“Një vepër e këtillë, ka nxitur reagimin e të tjerëve për ta shijuar bukurinë e stërholluar të trashëgimisë shpirtërore të Karadakut, e cila vërtet që është shumë e pasur, por deri sot e pahulumtuar sa duhet. Le të jetë një ogur i mirë, një shteg i hapur ‘Stina e meseleve’”, ka thënë Kadriu.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close