Rasim Vllasaliu është fitues i sivjemë i çmimit blerës të galerisë së “Penelit të Flakës 2016”

NGA:TEFIK SELIMI        Gjilan, 26 janar


 

 

Rasim Vllasaliu është piktor nga Gjilani. Ai gjer më tani ka pasur disa ekspozita personale dhe kolektive. Është pedagog i artit figurativ në Shkollën e Mesme të Arti në Gjilan. Kësaj herë, në manifestimin tradicional “Peneli i Flakës 2016” është fitues i çmimit blerës të galerisë në kuadër të Flakës së Janarit 2016”, që është një nga katër shtyllat kryesore të këtij Manifestimit kulturor që po mbahet në Gjilan. Me këtë rast, tri çmime të tjera të “Penelit…” janë ndarë Agim Bujupin, Eshtref Berishën dhe Mervan Mustafën në pikturë.

Rasim Vllasaliu, piktor gjilanas

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen e kësaj ekspozite, ka thënë se Gjilani dhe artistët e kësaj ane, sot kanë nderin që në qytetin e kulturës të presin kolegët e tyre nga të gjitha trojet shqiptare. “Gjilani ka traditë në organizimin e ‘Penelit të Flakës’, respektivisht ekspozitat e mëdha dhe me përmbajtje në nderim të të rënëve për lirinë e vendit. Kjo praktikë e mirë kulturore do të vazhdojë edhe më tutje me kultivimin e mirëfilltë dhe origjinal të artit pamor. Kjo shtyllë e ka ruajtur origjinalitetin e saj që nga themelimi i ‘Flakës…’ para 25 vjetëve. Është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë që është kaluar për këto 25 vjet të ‘Flakës…’, e posaçërisht shumë e rëndë është periudha e organizimit të saj gjatë viteve të ’90-ta. Komuna e Gjilanit do të jetë edhe në të ardhmen një mbështetje e fuqishme e artistëve të kësaj fushe në përgjithësi, sepse arti i bashkon të gjithë përmes vlerave të mëdha që ka”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Përgjegjësi i Njësisë për Kulturë, Kujtim Shahiqi, ka potencuar se në Gjilan, janë vepra të ndryshme të autorëve gjithëkombëtarë, duke qenë pjesë e ekspozitës punime të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës etj., gjë që e ka bërë edhe më madhështor këtë organizim.

Përgjegjësi për artin pamor, në kuadër të “Flakës së Janarit 2016”, skulptori Avni Behluli, tha se qëllimi i manifestimit padyshim është që ekspozita ta përfitojë karakterin gjithëkombëtar dhe të bëhet njëra nga shtyllat kryesore e tërë këtij spektri kulturor të emërtuar me emrin “Flaka e Janarit”. Gjithashtu ai ka thënë se interesimi i artistëve të rinj është shumë i madh dhe i mirëseardhur për vlerat e artit në përgjithësi, duke e zbukuruar këtë manifestim edhe më shumë. Tematikat e punimeve trajtojnë tema të ndryshme me dominim të elementeve të fuqishme kombëtare shqiptare. Manifestimi kulturor tradicional “Flaka e Janarit 2016”, përveç pjesës së artit pamor, mbështetet edhe në shtyllat tjera themelore siç janë arti letrar, arti skenik dhe arti muzikor.Tefik Selimi

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close